Gjeli “futbollist” ndjek topin sa herë ia pason. Familja ka vendosur të mos e shesë

0
87

Futbolli mbetet sporti më popullor në botë dhe në Shqipëri, si në nivel pjesëmarrësish, ashtu dhe në nivel ndjekësish.

Nga fshati Rrenc i Shkodrës vjen një rast i veçantë, teksa pas futbollit duket se është i apasionuar edhe një shpend.

Në fermen e Lin Tushajt është një gjel, i cili në pamje të parë është normal si të gjithë të tjerët, por nga banorët e zonës është pagëzuar me emrin “Gjeli futbollist” për shkak të aftësive të tij me topin.

Ka qenë vajza e vogël, Leandra Tushaj, e cila rastësisht ka zbuluar faktin se gjeli e ndjek topin sa herë që ia pason.

“Unë kam një gjel që e ka qejf futbollin. Kam qejf t’ia vendos emrin Messi, sepse mua më pëlqen Barcelona dhe jam tifoze e atij ekipi”, tha Leandra Tushaj.

“Gjeli është bërë i famshëm në të gjithë fshatin”, tregon i zoti i shtëpisë, teksa tani ka vendosur që të mos e shesë, por ta mbajë sa më gjatë.

“Kur më pyetën sa e shes, unë nisa të bëja shaka. Një gjel i tillë në Shkodër bën 1.000-1.500 lekë, ndërsa unë ia vura çmimin 50 euro. Ofertat më pas nisën të rriteshin deri në 280 euro për atë gjel. Me që u bë gjel i rëndësishëm, thashë po e mbaj vet”, tha Lin Tushaj.

Interesant mbetet fakti se, sa herë i pasohet topi, gjeli e godet dhe e kthen pas. Kjo ka bërë që të gjithë fëmijët e fshatit Rrenc të luajnë herë pas here me të./TCH