Gjendet çifti belg që kishte humbur në Himarë

Pas 20 orë kërkimesh intensive, Policia në Vlorë ka gjetur çiftin belg në majë të një mali midis fshatrave Vranisht dhe Iljaz të Himarës.

Dje, rreth orës 15:30, dy turistët e huaj kishin telefonuar Sallën Operative Vlorë dhe kanë kërkuar ndihmë se kishin humbur në një zonë të thellë malore të Himarës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë Himarë kishin organizuar punën kërkimore për gjetjen e këtyre dy shtetasve duke u shpërndarë në terren rreth 15 forca policie.

Policia njoftoi se lokalizimi i tyre ka qenë tepër i vështirë pasi kushtet e këtij terreni janë tepër të thepisura dhe të thyera duke vështirësuar kështu komunikimin dhe gjetjen e tyre.

Ata kishin qenë duke ecur në këmbë me qëllim eksplorimin e turizmit malor të këtyre zonave. Për shkak të terrenit të vështirë kishin ngatërruar rrugën e kthimit dhe për këtë kërkuan ndihmën e Policisë.

Policia thotë se turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po bëhet transporti i tyre pranë hotelit bazë në të cilin ata po qëndrojnë.

Policia publikoi edhe një video ku shihet çifti dhe djali që thotë se janë shumë të lumtur që i shohin oficerët.