Gjendet i vdekur një person në një veturë në Prizren

Një person është gjetur i vdekur në një veturë në lagjen Ortakoll në Prizren.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili konfirmoi se viktima është 60-vjeçar me inicialet A.M.

“Me datën 06.05.2022, rreth orës 17:40, Policia në Prizren ka pranuar një informatë nga ekipi i Urgjencës se në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’, në lagjen Ortakoll të Prizrenit, një person në veturën e tipit ‘Skoda’ me targa vendore është pa shenja jete”, tha Gashi.

Ai tha më tej se në vendngjarje ka dalë edhe njësiti i Krimteknikës, si dhe prokurori i shtetit.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedura të mëtutjeshme ligjore”.

Gashi shtoi më tutje se rasti po hetohet nga sektori i hetimeve rajonale në Prizren.