Gjoba 200 euro ndaj Hajdarit, Mustafa: Roja e pyllit me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, për një aksident që kishte shkaktuar në trafik me ç’rast kishte goditur një fëmijë.

Mustafa duke ironizuar ka thënë se “roja e pyllit me t’nxan me dru’ të dënon ma shumë!”.

“Ministrja e shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare, dënohet 200 euro. Kaq ka vlerë për ta një fëmijë, 200 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, deputeti i LDK-së është shprehur se dorëheqja e kësaj ministre nuk mjafton.

“Jeni mbuluar kokë e këmbë në turp! Të pafytyrë! E këta të flasin për kapje të shtetit e të gjykatësve. Këta të flasin për korrupsion. Vet janë të korruptuar edhe shpirtërisht! Plagosin fëmijë, e gjykatësit e kapur i dënojnë 200 euro!”, ka përfunduar Mustafa.