Gjoshi: Para një dekade e quante tradhti, tash Kurti e Vetëvendosje po iu gëzohen marrëveshjeve të Hashim Thaçit

Anëtari i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi është pakrahasimisht përpara politikanëve si Albin Kurti.

Gjoshi ka thënë se kryeministri Kurti është një politikan pa vizion, që nuk e njeh historia për asnjë gjë.

Ai ka akuzuar Kurtin se për një dekadë i ka mashtruar qytetarët e Kosovës, duke thënë se në Bruksel po nënshkruhen akte tradhtie kundër Kosovës, ndërsa sot krenohet duke u pajtuar me marrëveshjet pa asnjë pikë apo presje të hequr nga ajo e kohës së Thaçit.

“Hashim Thaçi është pakrahasimisht përpara politikanëve si Albin Kurti, pa vizion dhe që nuk i njeh historia për asgjë. Sot Albin Kurti dhe Vetëvendosje po gëzohen shumë që po arrijnë t’i zbatojnë marrëveshjet e Hashim Thaçit. Ky nuk është sukses, por mjerim për Kosovën dhe vitet e humbura për shkak të një njeriu – Albin Kurtit. Për një dekadë i ka mashtruar e gënjyer qytetarët e Kosovës duke iu thënë se në Bruksel po nënshkruhen akte tradhtie kundër Republikës së Kosovës. Kurse sot krenohet duke thënë se asnjë pikë dhe asnjë presje nuk ua heq marrëveshjeve të Hashim Thaçit”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.