Gjykata Kushtetuese me vendim: Komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

“Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Kuvendit ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Komuna e Prizrenit, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky nen përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë, për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës përkatëse; dhe që (iv) Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite”, thuhet në njoftim.

Lajmi në përditësim..