Gjykata Speciale e Kosovës, teatër pa publik

Gjykata Speciale e Kosovës, e vendosur në Hagë, është një institucion që vazhdon të prodhojë drama por edhe komedi për vëmendjen e opinionit publik kosovar dhe atij ndërkombëtar.

Shkruan: Bekim Çollaku

Kjo gjykatë u themelua si rezultat i presioneve dhe imponimeve të hekurta të faktorit ndërkombëtar, si një mekanizëm i besueshëm për të trajtuar akuzat për trafikim me organe njerëzore, të përmbledhura në raportin të Dick Marty, që u miratua nga Këshilli i Evropës. Të mos harrojmë faktin se ishte Rusia ajo e cila në koordinim me Serbinë arritën të krijojnë rrethana për të alarmuar fillimisht faktorin ndërkombëtar, e më vonë edhe për t’i bindur ata, se pretendimet e tyre për të akuzuar ish-udhëheqësit e UÇK-së për përfshirje në trafikim me organe njerëzore kinse ishin të bazuara në “fakte”. Çuditërisht, faktori ndërkombëtar ra në këtë grackë, dhe me lehtësi vendosi të ndëshkojë Kosovën e vogël, duke e ngarkuar me këtë barrë sa të padrejtë aq edhe të rëndë.

I gjithë procesi, që nga zanafilla e deri më sot, është misterioz, kontrovers, i motivuar etnikisht dhe tërësisht politik. Dhomat e Specializuara u themeluan për të trajtuar akuzat që implikonin ish-udhëheqësit e UÇK-së në krimet e pretenduara për trafikim me organe njerëzore. Megjithatë, aktakuzat e ngritura në mënyrë spektakulare në vitit 2020, përfshinin gjithçka përveç akuzës për trafikim me organe njerëzore – shkakun kryesor të themelimit të saj. Prandaj, ky zhvillim ngriti pyetje mbi motivin dhe ndikimet politike të faktorit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe procesit në tërësi. Në fakt, ngritja e aktakuzës së tillë, është dëshmia e dhimbshme e mashtrimit që iu është bërë institucioneve shtetërore të Kosovës dhe lidershipit shtetëror të asaj periudhe.

Ky mashtrim ka qenë i pashmangshëm në rrethanat e asaj periudhe të shtet-ndërtimit, aq më tepër, në periudhën kur udhëheqësit shtetërorë të Kosovës kishin besim absolut tek partnerët tanë ndërkombëtar, e sidomos tek SHBA-atë. Në fakt, tingëllon paradoksale, mirëpo ata që mbahen të paraburgosur në Hagë, ende vazhdojnë të besojnë tek drejtësia ndërkombëtare dhe tek vlerat civilizuese perëndimore të SHBA-së dhe BE-së.

Dhomat e Specializuar aktualisht janë duke operuar brenda një konteksti të ndjeshëm politik, në përpjekje gjoja për të vënë drejtësinë. Drejtësia është e vetmja kërkesë edhe e atyre që po mbahen në burg për më shumë se tri vite. Është për keqardhje fakti që procesi maratonik i gjykimit po shoqërohet me dobësi dhe mungesë të transparencës. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve të prokurorisë janë anonimë dhe të mbrojtur, duke krijuar një atmosferë të mbyllur dhe të pakontrollueshme për publikun. Kjo mungesë transparence, ngre shqetësime serioze mbi legjitimitetin dhe drejtësinë e verdikteve që pritet të shpallen në fund të këtij procesi.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që ka nxjerrë në pah ky proces, është trajtimi i të paraburgosurve. Në fakt, masat e fundit, si ndalimi i takimeve me familjarët dhe ndërprerja e komunikimeve të tjera, paraqesin shkelje të drejtave të njeriut, të garantuara nga kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare. Preteksti për marrjen e këtyre masave kufizuese ndërlidhet me takimet dhe përmbajtjen e bisedave të monitoruara ndërmjet të paraburgosurve dhe bashkëpunëtorëve e miqve të shumtë që i kanë vizituar ata. Lidhur më këtë gjë, duke respektuar kodin e sjelljes, mund të them vetëm një gjë, se është e pamundur që brenda atij burgu të diskutohet vetëm për problemet klimatike dhe ngrohjen globale.

Në një botë ku drejtësia ndërkombëtare shpesh duket si një lojë shahu politik, Gjykata Speciale e Kosovës ka vendosur të luajë një rol protagonist. Themeluar nën pretekstin e zbardhjes së akuzave për trafikim me organe njerëzore, bazuar në narrativë strategjike, përkundër të vërtetës se faktet dhe koha demantoi gjithçka, kjo gjykatë ka evoluar në një spektakël gjyqësor, që ka të gjitha elementet e një drame me intrigë dhe dyshime. Si një maratonë e gjatë ku askush nuk e di vijën e finishit, procesi gjyqësor mbetet një spektakël i vazhdueshëm i mungesës së transparencës, llogaridhënies dhe drejtësisë. Me dëshmitarë të mbrojtur dhe anonimë, seanca të mbyllura për publikun – gjithçka tingëllon si një recetë për një dramë të vërtetë, ku askush nuk mund të pretendojë se ka parë të vërtetën. Në këtë teatër absurd, të drejtat e njeriut janë si personazhet anësore që shpesh harrohen.

Masat e fundit ndëshkuese ndaj të paraburgosurve, si ndalimi i takimeve me familjarët, janë shkelje në skenë, por që audiencën e shtynë të pyesë: “A është ky një proces gjyqësor apo një lojë kontrolli?” Një pyetje retorike, sigurisht, në një botë ku drejtësia ndonjëherë duket më shumë si një iluzion.

Në fund të ditës, Gjykata Speciale e Kosovës duket më shumë si një shfaqje e gjatë me shumë pauza, ku drejtësia është më shumë një figurant se sa një protagonist. Një ironi tragjike, ku drejtësia ndërkombëtare shndërrohet në një skenë politike, ku aktorët luajnë sipas një skenari të shkruar nga forca të padukshme. A do të dalë ndonjëherë drejtësia në skenë? Publiku i neglizhuar mbetet në pritje, por, siç flasin shenjat, me pak shpresë.