Gjykimi ndaj Pal Lekajt, disa dëshmitarë thonë se s’e dinë pse figurojnë si përfitues të subvencioneve pa aplikuar për to

Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar gjykimi për vepra penale që lidhen me korrupsionin ndaj ish-kryetarit të Gjakovës Pal Lekaj dhe të tjerëve.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune.

Bashkë me Lekajn, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi po akuzohet Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.

Dëshmitari Daim Berisha deklaroi se as nuk ka aplikuar e as nuk ka marrë subvencion në Komunën e Gjakovës.

E prokurori Atdhe Dema i tha dëshmitarit se në dokumentet e prokurorisë figuron edhe emri i tij si përfitues i subvencioneve.

Më pas, lidhur me këtë e pyeti dëshmitarin se a ka nënshkruar ndonjë dokument në Komunën e Gjakovës në lidhje me këto subvencione, dëshmitari deklaroi se jo.

Edhe dëshmitari Baki Berisha deklaroi se asnjëherë nuk ka marrë subvencion nga Komuna e Gjakovës, pasi që as nuk posedon tokë.

“Nuk kam nënshkruar asnjë dokument në Komunën e Gjakovës, por ma kanë marrë letërnjoftimin në treg bashkëfshatari im Remzi Shala dhe më ka thënë se a ka mundësi me ma dhënë lejen se kam mi marrë do fara” , tha dëshmitari Berisha.

Ai tha se Policia ia kishte treguar një listë me emra, mirëpo, në vendin e nënshkrimit nuk ka qenë nënshkrimi i tij, por i dikujt tjetër.

Dëshmitarja Marte Zeqiri, deklaroi se nuk ka marrë subvencion nga Komuna e Gjakovës dhe se as nuk ka aplikuar për subvencion.

“Në Polici më kanë prezentuar një listë me emër dhe mbiemër të burrit tim të ndjerë, por kur kam dhënë deklaratë ka qenë një vit pas vdekjes së burrit” , deklaroi dëshmitarja Zeqiri.

Edhe dëshmitari Muahamet Rragomaj, deklaroi se nuk ka marrë subvencion nga Komuna e Gjakovës.

“Mua më kanë thirr për djalë në Polici, po nuk o e vërtetë se as unë as djali s’kemi marrë farë, dhe se nënshkrimi i djalit tim në atë listë nuk ka qenë për shkak se unë e njoh nënshkrimin e djalit”, tha dëshmitari Rragomaj.

Dëshmitari tjetër, Fatlum Morina, deklaroi nuk ka marrë asnjëherë subvencion, dhe as nuk ka aplikuar ndonjëherë, e as nuk ka nënshkruar ndonjë dokument në lidhje me subvencione ku figuron se ishte përfitues.

Ai tha se në Polici e kanë pyetur se a ka marr subvencion, dhe se ai i ka thënë se jo, dhe se Policia i ka prezantuar një listë me emër dhe mbiemër të tij, mirëpo që ai ka thënë, se nuk ka qenë nënshkrimi i tij në atë listë.

Pas ballafaqimit me një deklaratë të mëparshme të tij se ai kishte marrë subvencion, ndërsa sot thotë se jo, se cila është e vërteta, ai tha se është e vërtetë se për grua të axhës ka marrë një thes farë dhe pleh kimik.

E vërejtje në lidhje me mënyrën e jashtëligjshme që sipas tij, janë marrë në pyetje dëshmitarët në Polici ka pasur avokati i Pal Lekajt, Arianit Koci.

E prokurori Atdhe Dema iu përgjigj atij, duke i thënë se shkaku pse janë këtu është mashtrimi me subvencionet, dhe se deklaratat që sapo i dhanë dëshmitarët e vërtetojnë këtë gjendje faktike, ashtu që është vërtetuar edhe më herët, e sa i përket mënyrës së marrjes në pyetje nga ana e Policisë, sipas tij, vendi ka mekanizma të tjerë ku mund të adresohen.

Ndërsa, dëshmitari Gembi Batusha deklaroi se ka pranuar farë gruri dhe pleh kimik, duke shtuar se beson që ka nënshkruar një dokument pasi që e ka pranuar subvencionin, ndërsa tha se nuk i kujtohet vendi dhe se nga kush e ka pranuar.

Ai tha se nuk ka tokë bujqësore, mirëpo se ka pasur një tokë të një shoku të tij në shfrytëzim dhe për këtë e ka marrë.

Edhe dëshmitari Jeton Bytyqi deklaroi se ka aplikuar dhe ka marrë subvencion, mirëpo se nuk i kujtohet viti.

“Në kohën kur e kam marrë subvencionin nuk kam pasur tokë bujqësore në emrin e tim, e kam shfrytëzuar tokën e një shoku tim, Hekuran Hoda”, deklaroi dëshmitari Bytyqi.

Ndërsa, dëshmitarët Remzi Shala dhe Asllan Avdijaj deklaruan se kanë aplikuar për subvencione dhe se janë furnizuar me të njëjtat.

Dëshmitari Asllanaj deklaroi se ka marrë 200kg farë gruri te ura e Taliqit.

E dëshmitarit Samson Nikolla pritja në korridor të gjykatës i është dukur e gjatë dhe i njëjti është larguar nga objekti i gjykatës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancat e radhës i ka caktuar që të mbahen më 3 dhe 4 shkurt 2020, ku pritet të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve tjerë.

Ndryshe, në gusht të këtij viti lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.