Gjykimi për krime lufte, dëshmitarët rrëfejnë se si forcat serbe dhe i akuzuari kishin rrahur vëllezërit e tyre e u kishin demoluar shtëpitë

Të dëmtuarit Isak Shala e Enver Shala, kanë treguar se si forcat serbe dhe i akuzuari Nenad Arsiq kishin rrahur vëllezërit e tyre Jakup e Skender Shala, si dhe si i kishin demoluar shtëpitë në të cilat jetonin.

Këto deklarata dëshmitarët Shala i kanë dhënë në seancën e së martës, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Arsiq po akuzohet për krime lufte

Dëshmitari Isak Shala ka treguar se gjatë luftës në Kosovë ka jetuar në lagjen Emshir, ku jeton edhe tani, së bashku me familjen e tij. Ai ka rrëfyer se ka qenë fqinjë me vëllezërit e tjerë Skender, Jakup e Enver Shala dhe se shtëpitë i kanë pasur ngjitur.

Shala ka treguar se ditën e dytë pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë ka shkuar në shtëpinë e tij, kurse për Maqedoni është nisur me 6 prill 1999, 4 -5 ditë pasi kanë shkuar familjet, e se në Prishtinë kishin mbetur vëllezërit Jakupi e Skenderi, si dhe djali i këtij të fundit, Genci.

Ai ka deklaruar se gjatë kohës sa ishin duke qëndruar në Maqedoni, janë njoftuar nga një komshi për atë se çfarë ndodhte në lagjen e tyre. Mirëpo, me të njëjtin komshi dëshmitari tha se nuk kanë mundur të kontaktojnë me 21 maj, ditën kur nga lajmet janë njoftuar se në lagjen Emshir kanë hyrë policia serbe.

Dëshimtari deklaroi se pas dy ditësh kanë dëgjuar për atë çfarë kishte ndodhur me 21 majin 1999, ku familjarëve u është thënë se vëllai Jakupi ka qenë në gjendje të keqe, gati duke vdekur, e se në gjendje të keqe kishte qenë edhe vëllai tjetër Skenderi.

“Ka qenë një moment shumë i rëndë, sidomos për babën, të cilin menxi e kemi frenu mos me ardh. Me kalimin e kohës, i njëjti komshi na lajmëroi se e kanë kompletu misionin atë ditë dhe janë tërhjek.  Mu më ka thënë Isak, ishalla Jakupi shpëton, e kena pështjell me lëkurë të deles”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurores speciale Drita Hajdari, ai ka treguar se me 18 qershor janë kthyer në Prishtinë nga Maqedonia, ku kanë shkuar në shtëpi dhe kanë parë dy vëllezërit e tyre.

Për Skender Shalën ka deklaruar se ende i kishte pasur shenjat në trup.

“Nuk e di ka nuk ka pas, në krejt trupin ka pas, si pasojë e goditjeve 99% ka qenë i verbuar, e ka pas syrin e lënduar nga goditjet. Jakupi ka qenë i dërrmuar, i lodhur, psiqikisht, moralisht. E kam parë trupin e Jakupit, sikur ishte ndrydh. E sheh në CD çfarë gjendje ka qenë”, ka thënë ai.

Kurse, për shtëpinë e tyre ka treguar se si e kishin demoluar, ku sipas tij, dukej sikurse 500 persona kanë hyrë brenda.

Lidhur me gjërat që u kanë munguar, ai tha se ka qenë një zyre pranë Stacionit të Policisë “92-shit”, ku qytetarët kanë lajmëruar se çfarë u ka humbur apo munguar.

Ai ka deklaruar se e di që e ka paraqitur një video rekorder, si dhe se u kanë marrë edhe vetura, ku një sipas tij e kanë ngreh “zhag” dhe e kanë dërguar te “Grandi”.

Kurse, deklaroi se edhe një kombi të vëllait Skenderit e ka gjetur në lagjen Pejton, e se edhe një veturë e ka gjetur të dëmtuar në oborr.

“Tjetra ka qenë një “Mercedes”, e kishin marr në rrugicë, ku ka qenë një themel mes rrugës dhe bahçes, e se kanë pa, kish mbet aty, ka qenë i Jakupit”, ka thënë ai.

Isak Shala ka deklaruar se 80 mijë marka ia ka dhënë babai për t’i fshehur dhe se paratë nuk i ka gjetur më. Ai ka thënë se babai i tij i ka fshehur 120 mijë marka të tjera, e edhe këto të fundit nuk i kanë gjetur.

Ai ka rrëfyer se e ka pyetur vëllain e tij Jakupin se a e di kush është përgjegjës, e ai i kishte thënë se i njeh shumë mirë.

”Ma vonë më ka treguar me emër me mbiemër, ka thënë e njoh, me qindra herë kam nejt me to. Me mbiemër më ka thënë Arsiq, Arsiq, më vonë ma ka treguar emrin”, ka thënë ai, kurse ka deklaruar se vëllai i tij Skenderi i ka thënë se i ka rrahur një shok i Jakupit.

Ai ka deklaruar se kallëzimin penal e kanë paraqitur më vonë, pasi i kanë siguruar të gjitha të dhënat për të akuzuarin.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Dejan Vasiq që mbron të akuzuarin Arsiq, ai ka deklaruar se vëllai i tij e ka përmendur të akuzuarin.

“Nuk më ka interesuar fare, e di që e ka përmend, jo të dyja emrin e mbiemrin, veç ka thënë që atë njeri e njeh shumë mirë”, ka thënë ai.

“Do të thotë në atë moment për kryesit e veprave, apo njërin nga kryesit e veprave, e keni ditur që bëhet fjalë për njëfarë Nenadi nga Çagllavica, Jakupi e ka njohur personalisht. A e dini ju nëse Jakupi ka shkuar në Çagllavicë për të pyetur apo marrë informata për personin që e ka bërë këtë?”  ka pyetur Vasiq.

“Ka thënë që njëherë ka shkuar, por nuk më ka interesuar. Atë ditë që ka shkuar, si duket e ka vërejt ky dhe ka ik”, është përgjigjur dëshmitari.

Vasiq ka pyetur se a i ka thënë vëllai i tij Jakupi se ka shkuar te nëna e të akuzuarit Arsiq pas luftës.

“Nashta, në ndërkohë edhe e ka përmend, po nuk më kujtohet. Ka mundësi që ka shku sepse i kanë interesu shënimet”, ka thënë dëshmitari, kurse ka shtuar se nuk do të thotë kjo se e ka ditur Jakupi ku e ka shtëpinë e nënës Arsiqi.

Dëshmitari ka rrëfyer se kanë njoftuar se u kanë munguar gjëra si mjete kuzhine, televizor, radio dhe jo më të mëdha, dhe se nuk e di a ka pasur ndonjë vend ku kanë mundur të paraqiten gjërat materiale më të mëdha që u kanë munguar.

“Pse si keni paraqit senet e mëdha?”, ka pyetur Vasiq, kurse dëshmitari i është përgjigjur “Ku me i paraqit, njëherë duhet me dit kush, tani me paraqit”.

“Jakupi ka thënë kështu se e di emrin e tij, si quhet nëna e tij dhe se e di shtëpinë. A do të mjaftonin këto të dhëna të bëhej identifikimi dhe të merrej në pyetje”, ka pyetur tutje avokati Vasiq.

Ndërkaq, dëshmitari Shala ka thënë se me supozime nuk arrestohet njeri.

“ Nuk është etike, e ndershme me shku me paraqit dikon në polici vetëm se e ka emrin.  Nuk lajmërohet njeri askund pa i ditur shënimet”, ka deklaruar ai.

Kurse, ka thënë se në kallëzimin penal si gjëra që u mungojnë, sa i kujtohet automjeti i vëllait të tij, Enver Shalës, nuk është paraqitur, kurse të gjitha sendet tjera po, duke përfshirë edhe paratë.

Në deklaratën e tij, dëshmitari tjetër që ka cilësinë edhe të dëmtuarit, Enver Shala ka thënë se janë kthyer nga Maqedonia me 18 qershor, ku shtëpitë kanë qenë të demoluara e vëllezërit ishin në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Ai ka rrëfyer edhe për çfarë u ka munguar nga shtëpia.

“Mundem me fol për mungesën në shtëpi time. Automjeti më ka munguar, një makinë shumë e shtrenjtë, atë e kishin marr. E kam pas një punëtori që kam punuar si automekanik, komplet i kanë marrë senet, kurrgjë nuk kanë lënë. Mobilet të gjitha të thyera, të mjeruara. Për pare nuk kam ni ma herët, pastaj prej babës e Isakut, paret e babës kanë qenë diku mbi 120 mijë marka, kurse të Isaku diku 80 mijë marka”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deklaroi se këtë gjë e kanë bërë fqinjët, pasi Çagllavica tha se nuk është larg nga shtëpitë e tyre.

“E kanë përmend Nenadin, e ka përmend Jakupi që e ka njoftë mirë. Jakupi është marrë me bujqësi, ka pas kontakte, me bujq, me kolegë, edhe puna e ka shty për mu njoftë, e ka njoftë përmes një Zhivës, një kojshisë në Çagllavicë, ku ka qenë ky punëtori i Zhivës, aty e ka njoftë. E ka njoftë përpara. Kojshia i kanë rreh vllaznitë”, ka thënë ai.

Prokurorja Drita Hajdari ka propozuar që të konstatohen të lexuara deklaratat e katër dëshmitarëve të prokurorisë, pasi ka konsideruar se të njëjtën nuk kanë çfarë të shtojnë më shumë.

Mirëpo, një propozim të tillë e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarit Arsiq, pasi sipas tyre, dëshmitarët janë marrë në pyetje pa praninë e mbrojtjes së akuzuarit dhe nuk kanë pasur mundësi që të ballafaqohen.

Ky propozim i prokurores Hajdari është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Albina Shabani–Rama.

Avokati Vasiq ka propozuar që të dëgjohet nëna e të akuzuarit për rrethanat lidhur me dëshminë e Jakup Shalës, si dhe të dëgjohen dy fqinjët e motrës së akuzuarit, që do të dëshmonin se në ditën kritike i akuzuari ka qenë në një festë te motra e tij.

Ai ka propozuar të dëgjohen edhe politikani Momqillo Trajkoviq, si dhe një gazetare që janë fqinjë, e të cilët sipas tij mund të tregojnë se çfarë dhe si ka ndodhur pas luftës në Çagllavicë.

“Dhe Miqo Stojanoviq mbi rrethanën që Jakupi është takuar me Nenadin edhe pas luftës, se kanë pasur raporte të afërta shoqërore, në këtë rrethanë”, ka thënë ai.

Por, prokurorja Hajdari e ka kundërshtuar këtë propozim të avokatit Vasiq, pasi sipas saj asnjë nga këta dëshmitarë të propozuar nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e gjendjes faktike të vërtetuar nga dëshmia e viktimave, Jakupit dhe Skender Shalës.

Trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtësit, ku si dëshmitarë ka vendosur të ftohen Nada dhe Milivoje Sushoviq dhe Stojnoviq Niqa.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 25 shtator, me fillim ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nenad Arsiq, duke e akuzuar se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari më 21 maj 1999, në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kanë marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, ashtu që kanë shkuar në pronën e familjes Shala në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku fillimisht kishin larguar të gjithë personat që kishin ikur nga zonat e konfliktit dhe ishin strehuar tek familja Shala.

Sipas aktakuzës, pasi në shtëpi kishin mbetur vetëm të dëmtuarit Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore dhe ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të dëmtuarve duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje dhe dëmtime të rënda trupore, duke i fyer dhe sharë dhe me dashje ka marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzore të dëmtuarit Jakup Shala, i cili edhe pas ishte i lënduar rëndë, e kishte detyruar me forcë të pijë alkool dhe të këndojë këngë serbe, të cilët të dëmtuar vuajnë edhe sot nga këto tortura.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 dhe 2.3 lidhur me paragrafin1, nënparagrafin 1.2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë kohë dhe vendin e  lartcekur, i akuzuari në  bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar, në aksionin kundër popullatës civile, me dashje kanë marrë pjesë në shkatërrimin masiv të pasurisë si dhe përvetësimin që nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Në aktin akuzues thuhet se ata në kërkim të parave dhe gjërave me vlerë, kanë marrë pjesë në bastisjen e shtëpive të familjes Shala, me ç’rast kanë dëmtuar pronën dhe kanë bastisur fermën e të dëmtuarit Jakup Shala, me ç’rast kishin gjetur dhe përvetësuar 3200 litra naftë të mbushura në fuqi, 200 mijë marka të fshehura në shtëpi si dhe kanë përvetësuar shtatë makina  të ndryshme të familjes Shala.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.