Grenell gati në fund të mandatit, flet për drejtësi (VIDEO)

Babanë e saj, që është president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ivanka Trump e quan njeri që solli paqen në botë.

Si sukses në këtë fushë, ajo ia atribuon Donald Trumpit arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Por, kumbara i gjithë kësaj, i Dërguari i Posaçëm për Dialog Richard Grenell, kohëve të fundit u tregua i heshtur.

Veçse para disa ditëve ai u bë pjesë e një diskutimi online për zhvillimet Kosovë-Serbi.

Mes tjerash, ai sqaroi se ishin liderët e këtyre dy vendeve që i kërkuan të kyçet në këtë proces para dy vjetëve, kur Grenell ishte ambasador i shtetit të tij në Gjermani.

Si asnjëherë më parë publikisht, ai foli për Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Holandë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës që një kohë të gjatë po i mësojnë gjyqtarët dhe prokurorët, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, përmes programeve bilaterale. Unë besoj që pas gjithë këtyre viteve ne duhet t’i lejojmë ata që të merren vetë me sistemin e tyre gjyqësor dhe problemet që i kanë. Sundimi i ligjit duhet të bëhet përbrenda vendit e jo ta ketë bazën në Hagë”, theksoi Grenell.

Në postin e të Dërguarit të Posaçëm Presidencial për bisedimet e paqes kosovaro-serbe, Grenell qëndron deri më 19 janar.

Një ditë më pas, pra më 20 janar, do të betohet si president demokrati Joe Biden, partia e të cilit nuk ka qenë përkrahëse e politikave të Trump, posaçërisht atyre karshi Kosovës.

Akoma nuk dihet se nëse Administrata Biden do të emërojë emisar të ri për bisedimet Prishtinë-Beograd, apo dialogun e udhëhequr nga evropianët, që i kanë dhënë mbështetje, do ta përcjellin nga afër me zyrtar të rangut më të ulët.

Hulumtuesja nga KDI, Jeta Krasniqi, thotë se përtej kësaj e rëndësishme është përfshirja më e fortë e Amerikës në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, sidomos në arritjen e qëllimeve që i ka Kosova në këtë proces që janë sigurimi i njohjes reciproke dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.