Greva në “Trepçë”, BSPK-ja thirrje qeverisë: Kujdesu për minatorët dhe kërkesat e tyre modeste

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka vizituar minatorët e Trepçës të cilët janë futur në grevë që nga mëngjesi i sotëm.

Hykolli tha se nga pamjet në terren, gjendja e minatorëve është e rraskapitur, teksa i bëri thirrje qeverisë që të kujdeset për ta.

“Si drejtues i BSPK-së, në gjirin e së cilës është Sindikata e Minatorëve, thërras Partnerin Social – Qeverinë që të kujdeset për Minatorët dhe për kërkesat e tyre modeste e tejet të nevojshme duke i dëgjuar po edhe duke u dalë krah me vepra të qëndrueshme në krijimin e mjedisit të duhur të punës që i takon demokracisë së shekullit 21”, tha Hykolli.

Më tej, ai tha se BSPK-ja do të jetë në krah të minatorëve, duke i përkrahur me të gjitha mjetet e mundshme legale, në mënyrë që e drejta e tyre të jetë e qëndreushme.

Kujtojmë se njëri nga minatorët është dashur që të bartet me autoambulancë për në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.