Grevat në Kosovë, FMN thotë se rritja e pagave pamundëson zbutjen e papunësisë

Projektligji i ri për pagat ka shkaktuar një kaos grevash në Kosovë. Pas grevës së nisur nga SBASHK-u, edhe shërbyesit civilë kanë hyrë në grevë, të cilët po kërkojnë nivelizim të pagave dhe njohjen e përvojës së punës.
Ndërsa, sistemi arsimor tashmë ka hyrë në javën e tretë të cilët po kërkojnë ngritje të koeficientit për 30 për qind, ku kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen këto kërkesa, grevës nuk do t’i shihet fundi.
Mirëpo, ky projektligj po vlerësohet se rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rritë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen për Indeksonline ka thënë se FMN po ndjek më shqetësim debatin që po behët për pagat.
Sipas tij, rritja pagave prej 10 për qind që ofroi qeveria për mësimdhënësit do të kushtonte 13-14 milionë euro, ndërsa ajo prej 30% edhe më shumë.
Ai ka theksuar se nëse rriten pagat ashtu siç po kërkohen, atëherë nuk mund të pritet punësim dhe zbutje të papunësisë.
“Ne jemi duke e ndjekur diskutimin me shqetësim pasi që kërkesat për pagat janë të larta dhe nuk mund të akomodohen nga buxheti. Për shembull, në mënyrë të izoluar, rritja e pagave prej 10 për qind për mësuesit që ofroi Qeveria do të kushtonte rreth 13-14 milionë euro ose rreth 0.2 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm. Rritja e pagave për 30 për qind që po kërkojnë mësuesit do të kushtojë tre herë më shumë.
Kjo krahasohet me një rritje të faturës së pagave prej rreth 26 milionë euro për punësimin shtesë në sektorët prioritare dhe një rritje modeste në pagat e sektorit publik për të llogaritur përvojën e punës, të parashikuar në projekt buxhetin e vitit 2019.
Rritja e pagave për 10 për qind do të konsumonte hapësirë për punësimin shtesë në sektorët prioritarë, siç janë shëndetësia dhe gjyqësori. Një rritje prej 30% ka gjasa të pamundësonte punësim të ri ose rritje të pagave për të tjerët dhe do të prishte rregullën e pagave”, ka thënë Vermeulen në një përgjigje me e-mail për redaksinë.