Gruaja vdes pasi aksidentohet me një autobus

Një grua 26-vjeçare ka vdekur pas një aksidenti mes një veture dhe një autobusi në pjesën jugperëndimore të Londrës.

Aksidenti ndodhi në rrugën “Queenstown” në orët e hershme të së dielës. Viktima e aksidentit ishte gruaja që ishte në ulësen e pasme të veturës së përfshirë në përplasje.

Vozitësja e veturës është dërguar në një spital dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa viktima u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes.

Ekipet mjekësore i trajtuan edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë pësuar lëndime më të lehta. Njëri prej tyre u dërgua në spital, ndërsa tjetri u lirua.

Në pamjet e publikuara në internet shihen një autobus dhe një veturë, të dyja të përfshira në flakët.

Rruga ku ndodhi aksidenti dhe një urë pranë saj po vazhdojnë të mbahen të mbyllura nga policia për shkak të procedurave hetimore që janë duke u zhvilluar, shkruan “The Guardian”./Gazeta Sinjali/