Gucati i reagon Buxhovit: Me luftën e UÇK-së po merren edhe bashkëpunëtorët e pushtuesit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka reaguar shkrimtarit Jusuf Buxhovi që deklaroi mbrëmë se lufta e UÇK-së nuk ka qenë e pastër.

Në një prononcim për Fokusi.info, Gucati deklaroi se kur ka luftë çlirimtare, nënkuptohet se ajo luftë është e drejtë, dhe për të bëmat e saj duhet që të shkruhet një histori e mirëfilltë e nga historianë të paanshëm.

“E keqja e kësaj është se, me luftën e UÇK-së po merren njerëzit e ndikuar nga politika ditore, e që për interesat e tyre të ngushta, janë duke e falsifikuar historinë”, tha Gucati.

“Fatkeqësia e krejt kësaj, është se me luftën po merren edhe njerëzit e ish sistemit jugosllav dhe bashkëpunëtorët e pushtuesit, ndër ta edhe soji i Jusuf Buxhovit, nga të cilët nuk mund të pritet gjë e mirë”, deklaron Gucati për Fokusi.info.

“Natyrisht që fajet për të gjitha këto i kanë institucionet e vendit, të cilat është dashur që me ligj t’i ndalojnë shpifjet e njerëzve, të cilët edhe sot e kësaj dite bashkëpunojnë me armiqtë e popullit shqiptar”, përfundon Gucati.

Ndryshe, Jusuf Buxhovi tha se UÇK-ja nuk ishte e pastër, sepse janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ka thënë Buxhovi në Rubikon.