Gucati reagon ndaj përfaqësuesve të institucioneve, pasi që nuk u ftuan në solemne

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së përmes një shkrimi në Facebook ka reaguar ndaj përfaqësuesve të institucioneve shtetërore pasi që nuk u ftuan në seancën solemne për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë.

Shkrimi i plotë i Gucatit:

NË VEND TË NJË REAGIMI

Duke filluar me urimin, në emër të gjithë Veteranëve të Luftës së lavdishme të UÇK-së, për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke iu drejtuar gjithë popullit të sakrificës, në veçanti për luftëtarët çlirimtar, prej të cilëve mbi 2000, ranë dëshmorë për lirinë e bashkim kombëtar, mijëra të tjerë mbeten invalid që nuk i kursyen as gjymtyrët e trupit për lirinë e vendit, si dhe mijëra tjerë që me mund e sakrificë të madhe arritën të shpëtojnë nga lufta, edhe pse të lodhur e të dërmuar nga moskujdesi institucional e shoqëror, sot, pra këto institutione te dalura nga vota e popullit dhe te akomoduar nëpër kolltuqe falë sakrificave të popullit e të UÇK-së, paturpësisht anashkaluan Organizatën e Veteranëve të Luftës së shenjt të UÇK-së, në seancë solemne për Ditën e Pavarësisë.

Ata e këta mund të na anashkalojnë, të mos na njohin, te na quajnë edhe “kriminel”, por një gjë duhet ta dinë se, lirinë dhe shtetësinë ua solli gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve.

Pra, turpi nuk është si karamele, ai as hahet e as kapërdihet, por të turpëruarve u mbetet në fyt. Turpi qoftë mbi ata fytyrëmarroq që nuk e njohin, ruajnë e vlerësojnë gjakun e lirisë!

Hysni Gucati
Kryetar