Gucati tregon se çfarë do të ndodhë me dosjet që i solli një i panjohur në OVL-UÇK

Një pako me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale mëngjesin e sotëm ka arritur në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë. Deri më tani, nuk dihet kush e solli, por sipas anëtarëve të kësaj organizate ky material dëshmon se Gjykata Speciale është politike.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Husni Gucati, tha për emisionin IMAZH në RTK se në orën 09:15 ka arritur një pakë me 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale.

“Sot në ora 09:15 të mëngjesit ka ardhur një paketë në Organizatën e Veteranëve që nuk e dimë kush e ka sjell atë paketë, kah ka ardhur në korridorin tonë. Në këtë që ka ardhur tek ne që po i shihni këto materiale para jush janë dikur afër 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale”, tha Gucati.

Ai bëri me dije se këto Dosje të Speciales, do të dërgohen në Prokurori të Kosovës dhe atyre u mbetetet të vendosin për to.

“Ne nuk e dijmë nëse janë false ose origjinal, por në bazë të dokumentacionit shihet se janë origjinale”, tha ai.

Sipas tij me këto dokumente shihet se Specialja bashkëpunon me Serbinë.