Haki Rugova mbështet deklaratën e Hazirit rreth emrit të kryeministrit

LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar takimin e pestë në kuadër të grupeve punuese dje, me ç’rast pas takimit është thënë se dy palët kanë arritur pajtueshmëri pothuajse 100 për qind në temat që i përkasin arsimit dhe shëndetësisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Megjithëkëtë, Haziri së fundi ka lënë të nënkuptohet se emri i kryeministrit nuk është ende çështje e kryer, ndonëse partia fituese sipas rezultateve preliminare është LVV-ja. Një deklaratë të tillë Haziri e ka bërë pavarësisht faktit që javët e fundit kishte thënë se udhëheqja e Qeverisë së ardhshme i takon partisë e cila do të marrë një votë më shumë.

“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë Qeverinë e vetme, sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyra të LDK-së”, ka deklaruar ai.

Një deklarate të tillë i ka dhënë mbështetje të fuqishme nënkryetari tjetër i LDK-së Haki Rugova, i cili deklaratën e Hazirit e ka cilësuar meritore. “Unë besoj që Lutfi Haziri është kompetent për të dhënë deklarata dhe Lutfi Haziri është person i rëndësishëm i LDK-së, është nënkryetar i LDK-së dhe deklarata e tij është meritore”, ka deklaruar ai për gazetën.

I pyetur nëse posti i kryeministrit do t’i takojë LVV-së, meqë është subjekti i parë i dalë nga zgjedhjet, Rugova ka thënë se kjo çështje ende nuk është vendosur. “Ajo çështje ende nuk është vendosur”, ka thënë shkurt Rugova.

Zyrtarë të LDK-së kohët e fundit kanë shprehur pretendime edhe për pozitën e presidentit të Kosovës. I pyetur rreth kësaj, Rugova ka thënë se këto janë tema që do të diskutohen në nivelin politik mes subjekteve. “Ato çështje diskutohen në nivele politike, jo në nivelin teknik. Janë çështje e rezultateve të bisedave të cilat do të zhvillohen”, ka potencuar ai.

Për të diskutuar në nivel politik Rugova ka thënë se kompetentë janë kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe nënkryetari Lutfi Haziri, por nuk ka përmendur kandidaten për kryeministrie Vjosa Osmanin, e cila gjithashtu mban pozitën e nënkryetares në këtë parti.

“Njëherë janë duke u biseduar çështjet teknike, pastaj do të bisedohet në nivele politike, që kompetent është Isa Mustafa, natyrisht me autorizimet e Isa Mustafës kompetent është edhe nënkryetari Lutfi Haziri, është kompetent dhe meritor”, ka potencuar ai për “Zërin”, duke mos dashur të komentojë më tutje.