Haliti i reagon Besnik Bislimit për rastin e Nagip Krasniqit: Mos u përziej në punët e drejtësisë, është gabim

Zyrtarët e pushtetit me të dalë në pah aferat korruptive të ambasadorit Martin Berishaj dhe kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi janë rreshtuar krahë tyre.

Duke i mbrojtur këta të fundit, qeveritarët po arsyetojnë edhe punën e tyre, madje duke i lavdëruar, shkruan Front Online.

Timonin për t’i mbrojtur Berishajn e Krasniqin sot e ka marrë në dorë edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Për rastin e ambasadorit Berishaj, Bislimi ka thënë se është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë, ndërsa e ka quajtur edhe intelektual të shquar.

Kurse, për Krasniqin ka deklaruar se mëkati i tij i vetëm është se i ka sjellë profit KEK-ut, 107 milionë euro.

Bislimi akuzoi prokurorinë që nuk po merret me rastet e tjera, që sipas tij janë 30 sosh denoncime në KEK, por po bën politikë me rastin e Nagip Krasniqit.

Lidhur me këtë mbrojtje që pushtetarët po ia bëjnë Berishajt e Krasniqit, për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Haliti thotë se Qeveria ka të drejtë të mbrohet, por se në asnjë shtet serioz nuk lejohet implikimi i politikës të prek vendimet e drejtësisë.

“Unë mendoj që Qeveria ka të drejtë të mbrohet nga akuzat dhe ka të drejtë të bëjë edhe kundër akuza, kështu që kjo është politika ajo që mbron gjithkënd, por në asnjë rast në praktikat e shteteve serioze demokratike nuk lejohet implikimi i politikës të prek vendimet e drejtësisë , pra kur drejtësia merr diçka në shërbim është çështje e saj dhe nuk duhet me ushtru presion ndaj vendimeve të drejtësisë”, është shprehur Haliti për Front Online.

Thotë se ashtu si ka të drejtë zv.kryeministri të kundërshtojë të gjeturat lidhur me rastin e ambasadorit Berishaj, njëjtë edhe opozita ka të drejtë me iu kundërvu kësaj çështje.

“Në këtë rast unë nuk e di sa ka informacion zv, kryeministri por ka një fushatë mediatike edhe në Slloveni edhe në Kosovë kundër ambasadorit Berishaj dhe unë nuk kam informacion se a ka hapë dikush procedurë ndaj tij apo nuk ka hapë, a ka bërë vepër penale apo s’ka bërë, por ashtu siç ka të drejtë zv.kryeministri me e kundërshtuar zhurmën ose të gjeturat lidhur me këtë çështje lind e drejta njësoj edhe e opozitës për t’iu kundërvu kësaj çështje. Problemi është se ka filluar apo nuk ka filluar drejtësia ne duhet t’i besojmë drejtësisë dhe drejtësia duhet ta merr në shqyrtim edhe këtë çështje dhe duhet të deklarohet për këtë çështje”, ka thënë tutje deputeti Haliti.

Ndërsa, gabim më të madh të zv.kryeministrit Bislimi, po e quan ndërhyrjen në rastin s ai përket kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Thotë se fjalën vendimtare duhet ta thotë drejtësia e jo qeveria.

“Ndërsa, çështja sa i përket Nagip Krasniqit gabimi më i madh i zv.kryeministrit është se po përzihet në çështjet e drejtësisë. Dikush mund t’i ketë sjellë profit KEK-ut, por duhet parë se a është e vërtetë se a ka korrupsion, a ka pas profit personal apo si individ në atë, ose a ka pas profit grupor subjekti nga i cili vjen dhe ai mund të deklarohet për personin e tij që nuk është i implikuar dhe në qoftë se ka informacione shtesë atëherë mund të deklarohet edhe në emër të partisë së tij që nuk është i implikuar, por gjithmonë drejtësia e ka fjalën dhe jo Qeveria”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në çështjet e drejtësisë nuk duhet të ndërhyjë as Qeveria e as askush tjetër, por se shton se edhe drejtësia duhet të jetë tamam drejtësi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se Nagip Krasniqi është arrestuar për kryerjen e tri veprave; “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, ndërsa Ambasadori i Kosovës në Koraci, Martin Berishaj, ani pse i lirë, po hetohet nga Prokuroria Speciale për dyshimin në veprën penale “mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë”.