Haliti për arrestimet e zyrtarëve komunalë në Pejë: Uroj të mos kenë prapavijë politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti, ka komentuar arrestimet e fundit të zyrtarëve komunal të Pejës duke shkruar se uron që ato arrestime të mos kenë prapavijë politike para zgjedhjeve lokale.

Tutje, Haliti thotë se është ithtar e mbështetës i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Motoja “askush përmbi ligjin”, dhe kontrolli ligjor publik e politik ndaj të gjitha institucioneve për të ndërtuar shtetin e së drejtës duhet të jetë obligim i përgjithshëm”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, ai tha se të gjithë ata që përpiqen të barrikadohen me arsyetimin se përgjegjësia e tyre është brenda klanit, e në kundërshtim me praktikën ligjore evropiane, duhet shkarkuar sipas ligjeve në fuqi, e kur ligjet parashikojnë mënyrën dhe vendin e llogaridhënies për të gjithë, duhet amandamentuar ligjet.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka arrestuar dy drejtorë dhe disa zyrtarë të komunës së Pejës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtime të kundërligjshme në këtë komunë.