Hapi i radhës për shkarkimin e Trumpit, Pelos jep detaje

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga demokratët, do të vendosë të martën se kur do t’ia dorëzojë Senatit akuzat kundër presidentit, Donald Trump.

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi, e cila tha se do të zhvillohet një votim për kohën e dorëzimit të akuzave.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër Trumpit në muajin dhjetor, ndërsa gjykimi kalon tani në Senat.

Trump, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit dhe nëse Senati e shpall fajtor, gjë që thuhet se ka pak gjasa të ndodhë pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët, Trump do të shkarkohej nga detyra.

Presidenti amerikan akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur pezull ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Ndërkaq Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.