Serbia me plan katër-pikësh për shtensionim të situatës në Kosovë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një bisede me anëtarët e delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi ditën e djeshme, u ka bërë thirrje institucioneve të BE-së që të kontribuojnë aktivisht në de-përshkallëzimin e situatës në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, Vuçeviq ka thënë se për të de-përshkallëzuar situatën në Kosovë, duhet të realizohen katër hapa nga Prishtina, transmeton Klankosova.tv.

“Vuçeviq u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që në mënyrë aktive të kontribuojnë në deeskalimin e situatës dhe të parandalojnë arbitraritetin e Albin Kurtit, i cili me politikën e tij të rrezikshme të dhunës prish të gjitha arritjet e deritanishme të dialogut. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të serbëve të arrestuar dhe ndërprerjen e arrestimeve të mëtejshme, tërheqjen e kryetarëve të rrejshëm dhe forcave speciale policore nga veriu i Kosovës dhe themelimin e menjëhershëm të Asociacionit të Komunave” me Shumicë Serbe, thuhet në komunikatën e ministrisë serbe të Mbrojtjes.

Po ashtu, Vuçeviqi u është ankuar zyrtarëve evropianë se menjëherë pas bisedimeve në Bruksel, institucionet e Kosovës, të udhëhequra nga Albina Kurti, “konfirmojnë edhe një herë se nuk mund t’u besohet dhe se duke vazhduar politikën e tyre të papërgjegjshme, të papjekur dhe të pamatur, po i japin një goditje të rëndë të gjitha përpjekjeve për të rivendosur dialogun dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë”.