Haradinaj i përgjigjet Thaçit, i thotë se sovranitetin e Kosovës po e mbron nga ai

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit Thaçi për arsyet e shtyerjes së Samitit të Parisit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë.

Sipas tij, dëmi që i është shkaktuar Kosovës nga këto pazare është i madh, por të gjithë janë rreshtuar në mbrojtje të shtetësisë.

“Ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë. Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, ka shkruajtur Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ndërkaq më herët gjatë ditës, Thaçi ka thënë se veprimet e nxituara dhe të pamenduara të institucioneve të Kosovës e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës.

Thaçi këto komente i bëri duke iu referuar shtyerjes së Samitit të Parisit.

“Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore”, shruante Thaçi në Facebook.