Haradinaj kujton vendimin e GJND-së, flet edhe për ftesën nga Specialja

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar 22 korrikun e vitit 2010 si një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës, datë kjo kur GJND-ja shpalli verdiktin se Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe që nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare. Haradinaj e ka lidhur këtë datë edhe me ftesën që ka marrë nga Specialja.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se vendimi i GJND-së konfirmoi themelet e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare. Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj e ka lidhur këtë datë me procesin e dytë gjyqësor në Hagë, dhe ftesën që ka marrë të premten nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar.

“Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, të premten. Arsye për këtë vendim ka qenë ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale. Haradinaj ka thënë se do të intervistohet këtë javë.