Haradinaj: Ky sesion parlamentar do të mbahet mend për shkarkimin e bordeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot për sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës, ndërsa theksoi se nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se partia në pozitë, LVV, i kishte të gjitha mundësitë, që përmes Kuvendit të nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi.

Lexoni të plotë njoftimin:

Përfundoi sesioni pranveror i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Partia në pushtet, LVV, i kishte të gjitha mundësitë, që përmes Kuvendit të nxjerr ligje në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik të vendit, e shumë çështje të tjera me rëndësi.

Por, ky sesion parlamentar, do të mbahet mend më së shumti për tri gjëra:

Mosmiratimin e rezolutës në mbështetje të Marrëveshjes së Uashingtonit, që është edhe akti i parë anti-amerikan në historinë parlamentare të Kosovës.

Shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe emërimi në to i familjarëve dhe të afërmve të ministrave dhe deputetëve, si dhe eksponentëve të lidhur me partinë në pushtet.

Nga 193 ligje të parapara me agjendën e qeverisë, vetëm 4 janë miratuar nga Kuvendi me shumicë stabile. Kjo sepse të njëjtit u shpërqendruan me rahatime të familjarëve, duke lënë anash detyrën për të cilën ekskluzivisht janë zgjedhur nga qytetari i Kosovës.

Korrupsioni dhe nepotizmi janë kancer i një shoqërie, por kur vidhet shpresa e qytetarit, është edhe më tragjike.