Haradinaj liron nga detyra zëvendësministrin e Administratës Publike

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka liruar nga detyra zëvendëministrin e Adminstratës Publike, Bujar Nerjovaj.

Shefi i Qeverisë ka thënë se lirimi nga detyra është bërë me kërkesë të zëvendësministrit Nerjovaj.

“Sot kam liruar nga detyra Zv/Ministrin e Administratës Publike Z. Bujar Nerjovaj. Lirimi bëhet me kërkesë të tij me qëllim të vazhdimit të procesit gjyqësor”.

“E falënderoj Zv/ Ministrin Nerjovaj për punën dhe kontributin në Ministrinë e Administratës Publike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Të hënën, Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor zëvendësministrin e Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ai është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti i njëjti nuk kryen vepër penale.

Nerjovaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare për katër objekte hoteliere që gjenden në Zonën Historike të Prizrenit gjatë kohës sa ishte drejtor i Drejtorisë së Inspektorateve në komunën e Prizrenit.