Sejdiu: Prej të dielës, dialogu në dinamikë komplet tjetër

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka thënë se akti terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit do të zbardhet mirë e mbarë, por sipas tij, koj nuk është diçka që mund të sekuencohet.

Sejdiu tha nga dita e diel, dialogu gjendet në një dinamikë komplet tjetër, teksa shtoi se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë në dorë se a duan të jenë pengesë apo ndihmesë në përmbylljen e kapitullit me Serbinë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

“Diçka që unë besoj do të ishte pozicion i mirë për Kosovën, sepse është dëshmuar se është një organizim dhe paramilitar i strukturave të sigurisë së Serbisë, por më shumë do të jetë një lëvizje paralele, pra një insistim që palët të takohen me krejt këto informacione që janë në diskonim dhe ideja është që sa më shpejt të ecët përpara me marrëveshjen franko-gjermane”.

“Pengesa gjithnjë është opsion, por ajo çka duhet ta kuptojë secili që ka sot pushtet në Kosovë është që fati në fatkeqësi është që dinamika mund të jetë më e lehtë për ne, si në hapat e sekuencimit që i kërkonte Kurti, si në minimizimin e kërkesave të Serbisë”, tha Sejdiu në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, Sejdiu bëri thirrje që në Kosovë mos të ketë ngazëllim me gabimet serioze të Serbisë, teksa shtoi se nuk do të donte të shihnte keqpërdorim të unitetit politik nga partia në pushtet.