Haradinaj – prokurores: Fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete, nuk më takon kjo fjalë

Në fjalën e tij përmbyllëse, Nasim Haradinaj i është drejtuar prokurores Valeria Bolicci duke i thënë “Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”.

Fillimisht, Haradinaj ka thënë se kur filloi seanca e 14 marsit dhe dëgjoi se do t’i jepet gjysmë ore e drejta e fjalës përmbyllëse, ka menduar se nuk do të ketë nevojë të marrë fjalën fare, pa marrë parasysh kërkesat apo ngarkesat e fajësisë mbi të.

Sipas tij, kishte vendosur të mos flasë fare por të dëgjojë rrjedhën e procedurave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, sipas Haradinajt, kur prokurorja Valeria Bolicci mori fjalën, ajo u mundua të imponohej paturpësisht dhe ta vendos trupin gjykues para aktit të kryer që me harbutërinë e saj shkoi aq larg që jo vetëm bëri gabim amatorik që nuk mund të ndodhin as në gjykatat më diktatoriale por i fyu dhe u tha “këta të dy janë kriminelë”.

Ai tha se pasi paneli gjykues nuk reagoi, kjo e nxiti të marrë fjalën dhe se kjo është paprecedent qoftë për një prokurori surrogate e se e kupton prokurorinë se është e mllefosur që s’ka fakte, por ajo duhet të dijë se për ta ende vlen parimi i prezumimit të pafajësisë.

Haradinaj deklaroi se prokuroria tha se e kanë penguar drejtësinë që 20 vite, por Valeria Bolicci po harron se këto dhoma nuk kanë mbushur ende 7 vite nga formimi.

“Prokurore është gabim amatoresk në drejtësi pasi ne ngarkohemi vetëm për një periudhë kohore prej 2 javësh. Nëse prokurorja ka llogaritë kohën e veprimtarisë time edhe këtu ia ka fut kot dhe e ka gabim, unë që nga viti 1978 nga mosha 15 vjeçare e i bie 44 vite, kam vepru për lirinë dhe të drejtat legjitime të popullit tim dhe e kam luftuar okupimin dhe robërinë e popullit tim”, ka thënë ai.

Tutje tha se nëse fakti që e do njerëzoren dhe të drejtën njerëzore të popullit të tij dhe ka gatishmërinë të luftojë kundër të padrejtës dhe këtë prokurorja e quan veprimtari kriminale, atëherë ajo ka probleme me perceptimin e të drejtës themelore të popullit.

“Kundërshtimi im qëndron te politika e prokurorisë dhe kjo prokurori nuk po bën punën e vet për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se pret nga paneli drejtësi dhe që drejtësia të dal në shesh e triumfoj.

“Ndërsa ju prokurore fjalën kriminel merreni mbrapsht dhe mbajeni për vete se mua nuk më takon kjo fjalë”, ka thënë ai.