Haradinaj: Rritje pagash prej 10 për qind në vit, nëse luftohet ekonomia informale edhe më shumë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka premtuar 10 për qind rritje pagash në sektorin publik për çdo vit.

Haradinaj, ka thënë se fokus i qeverisë së tij pas 6 tetorit, do të jetë sektori privat dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës, njofton Klan Kosova.

“Jemi ka mundohemi me i dhanë përkrahje sektorit privat. Kemi ra dakord me i rritë pagat për 10% në sektor publik, pra çdo vit, pra është e mundshme se rreth 4.5% është rritja ekonomike tash, pra rritja e bruto produktit vendor”, ka thënë Haradinaj në një tubim në Prishtinë.

Ai ka thënë se nëse luftohet ekonomia informale, siç planifikohet, atëherë pagat mund të rriten edhe për 10% më shumë se që planifikohet.

“Ndërsa, nëse e zbresim informalitetin për 4% në katër vitet që vijnë, që i bie 16%, që prapë do të ketë informalitet, pra nuk po themi me qitë në zero, atëherë i bjen që krijohen mundësitë reale edhe për rritje pagat edhe për 10% në vit. Në sektorin privat synojmë me ndërmarrë veprime direkt në krejt lehtësina tatimore, pra ta zgjerojmë listën e produkteve që lirohen nga tatimi”.