Haradinaj takon Cholletin: Njohja reciproke me Serbinë, nevojë urgjente

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje nga takimi me këshilltarin e lartë amerikan, Derek Chollet.

Haradinaj në Facebook, ka thënë se gjatë takimit shtroi nevojën urgjente për arritjen e marrëveshjes finale me njohje të ndërsjelltë.

“Në një takim përmbajtësor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.” – tha ai.

Tutje,ai ka shtuar se foli edhe për nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e vendit.

“Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.” – shtoi Haradinaj.

Në fund, kreu i AAK-së ka shkruar: “Falënderova përfaqësusit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën vështirë se do të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare të paqes.”