Hasani: Draft-statuti nuk është ligj – pres prej Kushtetueses që të mos shërbejë si bigë për proceset politike

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është ligj, pasi ligje nxjerr vetëm Kuvendi i Kosovës.

Hasani, tha se draft-statutin e quajti “shkarravinë” dhe se sipas tij, atë në Gjykatë Kushtetuese mund ta sjellin vetëm një kategori e personave që kanë rol publik në Kosovë.

“Atë mund ta bien në gjykatë si vendim të qeverisë vetëm deputetët, palët e autorizuara, Avokati i Popullit dhe Presidentja e Kosovës. Nuk mundet kryeministri”.

“Nuk pres prej Gjykatës Kushtetuese të shërbejë si bigë për proceset politike që janë pranuar me ndërkombëtarët”, tha Hasani në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Më tej, sipas Hasanit, me anë të themelimit të Asociacionit, Serbia futet si asnjëherë më parë në çështje të brendshme të Kosovës dhe i kontestohet titulli juridik, pavarësia.

“Serbia futet, më shumë se asnjëherë më parë në çështjet e brendshme të Kosovës që lidhen me sovranitetin e brendshëm të Kosovës. Prej mënyrës së financimit”.

“Neve na kontestohet titulli juridik i pavarësisë që është shpallur dhe që na ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Çdo zgjidhje e autonomisë serbe në Kosovë nuk mund të jetë e përhershme”, tha ai.