Hasani për draftin e Asociaiconit: Në Gjykatë Kushtetuese mund ta dërgoj vetëm Qeveria

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se në Gjykatën Kushtetuese drafti për Asociacionin mund të dërgohet vetëm nga Qeveria.

Hasani përmes një reagimi me shkrim në “Debat Plus”, tha se dërgimi i draftit në Kushtetuese është detyrim sipas aktgjykimit të vitit 2015

“Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të dërgohet nga askush pos nga Qeveria. Ky është detyrim kushtetues sipas Aktgjykimit të vitit 2015”, tha Hasani për Debat Plus.

Ndryshe para dy muajsh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe një draft të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Bruksel, mirëpo pala serbe nuk ka qenë e interesuar për diçka të tillë.

Sipas tij Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta jep vlerëimin për kushtetushmërinë e draftit.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, kishte thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Se drafti për Ascoiacionin duhet të dërgohet në Kushtetuese, është shprehur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Në disa deklarata të tij ai ka ritheksuar se vlerësimin e fundit duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.