Haxhiu akuzon ish-ministrin Selimi se ndikoi në transferin e të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka akuzuar ish-ministrin Selim Selimi se ka ndikuar në transferimin e Shaban Gogajt, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt nga një qendër korrektuese në tjetrën.

Ajo me anë të një postimi në Facebook ka thënë se një veprim i tillë i Selimit është shkelje ligjore.

Në këtë kontekst, Haxhiu ka thënë se është e shqetësuar me shkeljet dhe ndikimet që ka pasur në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Me këtë rast, ajo ka paralajmëruar veprime.

Postimi i plotë:

Ministrit të Drejtësisë nuk i lejohen ndërhyrjet në transferet e personave që janë të paraburgosur apo burgosur, siç ishte rasti i ndërhyrjes në rastin e personit që akuzohet për vrasjen e Agonis Tetaj. Kjo është shkelje ligjore.

Si Ministre e Drejtësisë jam shumë e shqetësuar me shkeljet e ndikimet që kanë ndodhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Këto ndërhyrje dhe çfarëdo shkelje tjetër do të ndalohet dhe adresohet.