Haxhiu për marrëveshjen me Danimarkën: Jemi të interesuar të marrim sa më pak përgjegjësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dhënë detaje për nënshkrimin e letër-qëllimit me shtetin e Danimarkës për lirimin e qendrës së paraburgimit në Gjilan për 300 të dënuar.

Gjatë raportimit në Komisionin për legjislacion, Haxhiu tha se për arritjen e këtij letër-qëllimi kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore.

Kosto vjetore e 300 të burgosurve sipas ministres do të jetë 5 milionë euro në vit.

“Parasheh qe bashkëpunimi të zgjasë 5+5 vite. 15 milionë euro në vit, 6 milionë në energji të ripërtëritshme dhe 5 milionë euro për investime në qendrën e paraburgimit në Gjilan. Jemi pajtuar që mos ketë të dënuar për terrorizëm, për krime lufte”, tha ajo.

Ministrja tha se qëllimi i tyre është që të marrin sa më pak përgjegjësi në trajtimin e të burgosurve.

Të njëjtit, sipas saj pas përfundimit të dënimit do të kthehen në Danimarkë, e më pastaj në vendin e origjinës.

“Kosova nuk ka probleme me të burgosurit, mund të ndodhin incidente por janë të pakrahasueshme me vendet tjera. Duke marrë parasysh bashkëpunimin me Danimarkën dhe thellimin e këtij bashkëpunimi kemi vendosur për këtë. Ligjet do të vlejnë ato të Danimarkës, por ne jemi të interesuar që të marrim sa më pak përgjegjësi në këtë drejtim. Shtetësia e tyre ende nuk dihet, por ajo që dihet është se nuk janë shtetas danezë, do të jenë për vepra jo më shumë se dhjetë vite”, tha Haxhiu.

Ajo tha se marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës.