Haxhiu: Qeveria premtoi rritje të pagës minimale deri në fundvit, e ne ende s’po shohim asnjë vendim

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po refuzon të merret me kërkesat e sektorëve të ndryshëm për rritje page, specifikisht për implementimin e Ligjit të Pagave.

Ai, në Edicionin Special, u shpreh se kryeministri Kurti e zhvendos debatin në çështje personale, sa herë që përballet me premtimet që ka dhënë, e që sipas tij, po dështon në secilën prej tyre, njofton Klankosova.tv.

”Ndonëse ky Ligj i Pagave ka qenë në agjendë legjislative, nuk është bërë dhe deri më tani nuk kemi parë ndonjë qasje serioze të qeverisë. Kjo është edhe brenga kryesore e jona si parti opozitare. Ne kemi kërku edhe një datë prej kryeministrit, se kur mund ta procedojë në kuvend”.

”Por, si zakonisht, kur kryeministri përballet me premtimet që ai vetë i ka dhënë, e ka si zakon që debatin ta orientojë në çështje personale, ose të diskutojë për të kaluarën, por nëse e krahasoni, ose e keni vëmendjen për diskutimin e kryeministrit, në 10 minutat e fjalimit të tij, ai ia kushtoi Ligjit për Paga, që e ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese”.