Shala: Vetëvendosje ka rritur varfërinë, inflacionin dhe importin nga Serbia

Sot janë bërë dy vjet që kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke iu mundësuar kështu të krijonte qeverinë së bashku me Listën Guxo e cila në atë kohë udhëhiqej nga Vjosa Osmani.

Për dy-vjetorin e fitores së VV-së, ka pasur reagime të shumta nga opozita.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë shprehur pakënaqësi në udhëheqjen e partisë në pushtet.

Ferat Shala deputet i PDK-së ka folur për Front Online.

Sipas Shalës, rritja e varfërisë dhe inflacionit në vend, janë të arriturat e Qeverisë Kurti.

Ai thotë se në këtë udhëheqje dy vjeçare vetëm degradime ka pasur.

“Në sferën ndërkombëtare kemi degradim të skajshëm të politikave të qeverisë në raport me aleatët ndërkombëtar. Në sferën e brendshme nuk kemi asnjë zhvillim të mirë përveç degradimit dhe kapjes së institucioneve publike të cilën kjo qeveri në periudhën dy vjeçare e ka arritur. Në këtë dy vjeçar vetëm videot 2,3 video që i ka bërë për të kaluarën për opozitën asnjë rezultat tjetër nuk kanë bërë. Ka rritur shkallën e varfërisë dhe inflacionit dhe ka rritur edhe importin nga Serbia dhe kjo është Qeveria Kurti në mandatin 2 vjeçar me këto të arritura”, u shpreh Shala.