Haziri: Albin Kurti të tregoj nëse e ka pranuar Asociacionin, situata është e paqartë

“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ky ishte mesazhi i zyrtarit amerikan, Derek Chollet gjatë një vizite që i bëri Kosovës të mërkurën.

Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa herë që është pyetur ka deklaruar se nuk do të ketë Asociacion të Komunave më Shumicë serbe.

Ai në vizitën që pati sot në Austri u deklarua ndryshe për Asociacionin.

Kurti tha se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet në planin franko-gjerman, por në frymën e kushtetutës, ajo s’lejon asociacion njëetnik.

Lutfi Haziri për Albin Kurtin: Politika e tij një hap para-dy mbrapa

Politikën e Kurtit po e sheh si të paqarë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ish-negociatori, Lutfi Haziri për Front Online tha se Qeveria është ajo që duhet ta zbardh këtë çështje, nëse e ka pranuar Asociacionin apo jo.

“Kurti është i mandatuar si kryeministër me i zhvillu negociatat, politika e tij një hap para, dy mbrapa edhe më tutje nuk po sjell as qartësi në këtë çështje e as vendim përfundimtar. Sepse disa po thonë që e ka pranu, sikurse sot deklarata në Vjenë në një marrëveshje të përbashkët gjithëpërfshirëse të propozimit franko-gjerman është çështje që do të negociohet, në anën tjetër kjo i bie që nuk e ka pranuar sepse kemi sinjale të qarta në komunikatën e tij në Prishtinë, pas takimit të tij me z.Chollet. Është në kërkesën që Qeveria duhet ta zbardh me deklaratën çka tash e tutje”, tha ai për Front Online.

Lutfi Haziri: Gjendja ekzistuese në terren është kthyer në një territor të pakontrolluar në veri

Haziri thotë se vizita e zyrtarit amerikan tregon urgjencën që Kosova të fokusohet në dialog.

Kjo, sipas tij, duke e parë edhe gjendjen në veri që siç tha ai është kthyer në territor të pakontrolluar.

“Vizita e delegacionit amerikan ne krye me Chollet vjen me paralajmërim. Ky paralajmërim ka të bëjë me urgjencën që Kosova duhet të fokusohet në arritjen e progresit për dialogun Kosovë-Serbi, gjendja ekzistuese në terren është kthy në një territor të pakontrolluar në katër komunat, pa institucionet legjitime, dhe në bojkot nga përfaqësuesit serbë dhe paralajmërimi i urgjencës për draftimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, u shpreh Haziri.

Po ashtu, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011.

Republika e Kosovës kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beorgadi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.