Haziri për Vjosa Osmanin: Nuk mundet me i marrë 200 mijë votat e LDK-së

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nuk pret që Vjosa Osmani t’i marr votat e subjektit të tij.

Ai thotë se nuk pret që Osmani t’i marrë votat e LDK’së e t’i dërgojë në VV.

“Po t’i merrte votat e rugovizmit do të merrte shumë. Tepër shumë. Megjithatë është thuajse e pamundur. Nuk mundet me i marrë 200 mijë votat e LDK-së”, tha ai.

Tutje ai kritikoi Osmanin për largimin e saj nga partia e bashkimit me partinë e VV’së me të cilën LDK’ja prishi koalicionin qeverisës në mars të vitit të kaluar.

“Nuk mundesh me qenë djalë i hoxhës duke shku në Kishë me u falë”, tha ai në një referencë për largimin e Osmanit.

Osmani iu bashkua listës së VV’së pas largimit nga LDK’ja. Ajo më herët ishte përjashtuar nga pozitat drejtuese që kishte në LDK. Osmani tani ka numrin 2 në listën e VV’së ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara, që u mbajtën më 6 tetor 2019, ajo ishte bartëse e listës së LDK’së dhe kandidate e këtij subjekti për kryeministre.