Haziri thotë se VV-ja e ka bërë Gjilanin “fshat spanjoll” me “politikë të mizevirit”

Lutfi Haziri, Kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, në konferencë për media ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin Alban Hyseni për të qeverisurit e komunës.

Sipas tij Gjilani nga një qendër zhvillimore është bërë një fshat spanjoll.

“Imazhi i Komunës sonë ka ra për toke sepse po administrohet, nuk po qeveriset. Ekzekutivi i Komunës së Gjilanit nuk ka më as guxim të ballafaqohet me Kuvendin Komunal, për shkak të keq qeverisjes, abuzimit me paranë publike, nepotizmit të paparë në punësim, ngecjet së madhe në infrastrukturë, dështimit e lidhjes së rrugëve lokale me rrugët regjionale e stagnimit në çdo resor”, është shprehur Haziri.

“Politika tinëzare është instaluar tash e dy vjet në Gjilan, ka bërë politikë tinëzare me partinë e tyre, me ish-partnerin qeverisës e po mundohet që ta shtrijnë këtë edhe përtej. E keqja e madhe është që politika e ‘mizevirit’, është munduar edhe heronjtë tanë t’i ndajë”.

Nënkryetari i LDK-së në nivel qendror ka dalë përtej Gjilanit, ku ka nënvizuar se as Podeujva dhe Shtimja komuna me të cilat qeveris Vetëvendosje nuk ka politika zhvillimore.