Heqja e taksës, futet në Kosovë kamioni i parë me mallra serbe

Ka hyrë në Kosovë kamioni i parë me mallra të lëndës së parë nga Serbia.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, ka hyrë edhe kamioni i parë me mallra të lëndës së parë serbe.

Kjo është bërë e ditur nga Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, për lajmi.net. Ai tha gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë hyrë rreth 170 kamionë me mallra nga vende të ndryshme, por që kanë përdorur Serbinë si vend transit.

“Po para dy orëve është bërë importi i parë i lëndës së parë nga Serbia, produkte ambalazhuese kanë qenë. Vlerat janë të ulëta, por ka hyrë kamioni i parë duke e zbatuar vendimin e Qeverisë”, ka thënë Stavileci për lajmi.net.

Ndërsa nga Bosnjë-Hercegovina, deri më tani, sipas Stavilecit, ende nuk ka hyrë ndonjë kamion me mallra të lëndës së parë.

Sot ka hyrë ne fuqi vendimi për heqjen e tarifës për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës u vendos nga Qeveria Haradinaj në nëntor të vitit 2018.