Reuters shkruan për arrestimin e gazetares ruse në Kosovë: Rusia aleati kryesor i Serbisë

Autoritetet kosovare gjatë ditës së djeshme kanë ndaluar gazetaren ruse, Daria Aslamova.

Daria Aslamova, e cila nga shumë shtetet është vërtetuar se ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse, duke vepruar si gazetare.

Ka qenë vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ai i cili ka njoftuar për arrestimin e saj, ku sipas Sveçlës, ky tentim i hyrjes së saj në Kosovë e dëshmon qartë se ka për qëllim destabilizimin e vendit.

E për ndalimin e Daria Aslamova ka shkruar edhe Reuters.

Ky medium prestigjioz shkruan se nuk ka mundur që t’i vërtetojë deklaratat e Sveçlës, përderisa sipas Reuters, Daria Aslamova nuk ka qenë e gatshme që të deklarohet dhe se nuk dihet nëse ajo ka punësuar ndonjë avokat apo jo, përcjell më tutje Demokracia.com.

“Rusia është aleati kryesor i Serbisë dhe njësoj sikurse Beogradi është kundër pavarësisë së Kosovës”, shkruan më tutje Reuters.

Në këtë artikull, Reuters shkruan se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë javëve të fundit kanë ardhur pas vendimit për masën e reciprocitetit për targat dhe dokumentet identifikuese, përderisa përmed edhe faktin e sulmit të fundit që iu bë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Gjithashtu Reuters e ka vënë në pah edhe qëndrimin e Kosovës në lidhje me sanksionet që ia ka vendosur Rusisë dhe rreshtimin me shtetet e Bashkimit Evropian.

“Kosova i është bashkuar ndëshkimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe tashmë ka vendosur sanksione”, shkruan Reuters.