Hisen Berisha: Kurti po mashtron, erdhi në pushtet me patriotizëm të rrejshëm

Policia e Kosovës të martën në veri ka arrestuar drejtuesin e grupit kriminal “Mbrojtje Civile”, Milun Milenkoviq.

Para se të arrestohet Milenkoviq, në veri është lëshuar alarmi ku një numër i madh i serbëve janë mbledhur atje.

Ndërsa, Kurti sot para mediave ka folur për situatën e krijuar tash e sa kohë në veri.

Ai ua prezantoi ndërkombëtarëve planin pesëpikësh për gjendjen atje, ku tha se nga ky plan stabilizohet pjesa në veri.

Kurti foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve.

“Jam i interesuar për zgjedhje të reja, por se për këtë s’duhet nxituar, dhe jam i vetëdijshëm se ky mandat i kryetarëve të zgjedhur nuk mund të shkojë deri në fund”, tha ai për Front Online.

Berisha: Kurti po mundohet ta mbulojë vetën, duke e çuar vendin në zgjedhje dhe duke mos e themeluar Zajednicën

Për krejt këto deklarata ka folur për Front Online anëtari i Komisionit për Çështjen e Sigurisë dhe Mbrojtës, njëherësh deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Berisha tha se krejt deklaratat e Kurtit janë mashtrim.

Ai thotë se kryeministri do ta çojë vendin në zgjedhje, kinse mos ta themeloj Zajednicën.

“Kurti ka bërë shumë deklarata prej të cilave është tërhequr me marrëveshje, të gjitha deklaratat janë në retorika mashtruese të Kurtit me patriotizmin e rrejshëm të tij që ka ardhur në pushtet. Ai i bënë deklaratat pasi ka bërë ndonjë marrëveshje. Krejt këto çka i tha sot janë për ta mbuluar vetën dhe unë pres nga ky që të tërhiqet dhe mos ta bëjë Zajednicën, por ta dërgoj vendin në zgjedhje dhe thotë se unë nuk e themeloj Zajednicën por tërhiqem nga pushteti”, thotë Berisha për Front Online.

Deputeti i PDK-së: Gjithçka që ndodhi dhe do të ndodhë në veri janë skenarë të Kurtit

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se krejt këto që po ndodhin në veri janë të pritshme dhe skenarë.

Berisha thotë se strategji është mos koordinimi i Kurtit me aleatët.

“Të gjitha zhvillimet që ndodhën dhe do të ndodhin janë të pritshme dhe janë skenar i pastër, fakti që Kurti nuk harmonizohet me ndërkombëtarët nuk respekton instruksionet që dha ambasadori amerikan”, theksoi Berisha për Front Online.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e përshkroi të arrestuarin Milun Milenkoviq si organizatorin kryesor të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj në Zveçan.

Mbi 30 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s kishin mbetur të lënduar në një përplasje me protestuesit e dhunshëm të cilët i goditën me ç’kishin ushtarët, duke hedhur në drejtim të tyre edhe mjete plasëse si shok-bomba dhe molotov.