Historia e një rrëmbimi: Sportistja austriake përjetoi tmerrin

Një sportiste austriake e garave të triathlonit i ka mbijetuar një kidnapimi gjatë të cilit ishte goditur nga vetura, ishte lidhur me shirit ngjitës dhe ishte dërguar në një shtëpi në periferi të Grazit, ku ishte mbajtur me orë.

Nathalie Birlie 27-vjeçare ka treguar se si është rrahur, i janë mbyllur sytë, është detyruar të pijë alkool dhe gati sa nuk e mbytën në vaskë, para se të bindte kidnapuesin e saj që ta lironte.

Zëdhënësi i policisë së Grazit, Fritz Grundnig ka treguar se Birli ishte duke stërvitur në rrugën në Kumberg, në jug të Austrisë të martën pasdite kur u kidnapua.

Të mërkurën, një 33-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, është arrestuar.

Birli, që ka një djalë 14 muajsh, i ka thënë gazetës austriake “Krone” se ishte duke bërë xhiro me biçikletë kur u godit nga një veturë. Ajo theu dorën e majtë gjatë rënies dhe më pas shoferi i veturës e rrahu me shkop dhe e futi brenda në veturë, shkruan The Independent, përcjell sot Koha Ditore.

Birli ka treguar se kishte humbur vetëdijen për një kohë dhe kur u zgjua ishte lakuriq dhe e lidhur në një karrige.

“Ai ishte plotë urrejtje. Ai më mbajti lidhur, më detyroi të pija verë dhe pije të tjera alkoolike dhe gjithmonë mbante një thikë në dorë”, ka rrëfyer ajo.

Birli ka treguar se në disa momente kidnapuesi ia mbyllte asaj hundën e gojën dhe ajo mendonte se do ta mbyste, por më pas ndalej dhe e fuste në vaskë me ujë të ftohtë, e ku donte ta mbyste atë.

Ajo thotë se situata ndryshoi kur papritmas ajo pa se kishte shumë orkide në shtëpi dhe ajo i tha kidnapuesit se i adhuron ato.

“Papritmas kidnapuesi ishte i mirë me mua”, rrëfen ajo.

Kidnapuesi i rrëfeu asaj se është kopshtar dhe nisi të fliste për jetën e tij të tmerrshme.

“Një baba i vdekur, një nënë e varur nga alkooli dhe të dashura që e kishin tradhtuar”, ka treguar Birli për jetën e kidnapuesit.

Birli ka treguar se në atë moment i tha atij të bëjnë një marrëveshje.

“Të shtiremi sikur ishte aksident dhe më liro”, ka treguar Birli t’i ketë thënë kidnapuesit.

Ai ishte pajtuar, e liroi atë dhe madje e dërgoi me veturë deri në shtëpi.

“Unë hyra në shtëpi, mbylla derën dhe menjëherë telefonova partnerin tim”, rrëfen ajo.

Ajo ka rrëfyer në rrjete sociale se përvoja ishte si një film i keq dhe është falënderuese ndaj të gjithëve që kishin nisur ta kërkonin atë.

“Falë Zotit e lirova veten, dhe me përjashtim të një frakture në dorë dhe kokës së lënduar, jam në rregull”, ka thënë ajo.