Hoti i përgjigjet Listës Serbe pas paralajmërimeve për largim nga koalicioni

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka folur rreth paralajmërimit kërcënues të Listës Serbe se në rast se nuk implementohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe ata do të largohen nga koalicioni qeverisës.

Hoti në konferencë për media i tha gazetares që shtroi pyetjen se nuk pranon kërcënime nga askush dhe se nuk punon me kërcënime,.

“E para tash po e dëgjoj nga ti, kjo nuk është qeveri që pranon kërcënime prej askujt. Unë nuk punoj me kërcënime. Kemi marrëveshje të koalicionit me të gjithë partnerët dhe Listën Serbe dhe derisa këto çështje diskutohen mund të flasim. Kjo është ajo që mund të them”, tha Hoti.

Më tutje, Hoti gjithashtu ka thënë se është duke u diskutuar për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi dhe se asnjë marrëveshje nuk do të fillojë së zbatuari deri në marrëveshjen me njohje reciproke.

“Tash jemi duke e diskutuar marrëveshjen finale, mbi parime e dakorduar me partnerët tanë dhe ne dakordohemi për të gjitha ose për asgjë. Nuk zbatohet asgjë deri në marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke.”, tha Hoti.

Në anën tjetër, duke folur për takimin e tij me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak Hoti është shprehur se Kosova e ka mbështetjen e partnerëve për formimin e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive.

“Vizita e Lajcakut në Prishtinë është për një vlerësim për procesin e dialogut, dhe për agjendën e ardhshme në këtë proces . Nuk është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni, mirëpo do të dakordohemi me të gjithë partnerët. Kosova nuk është palë që e bllokon procesin e dialogut, Kosova pas shumë vitesh është palë konstruktive, ne e dimë pse kemi hyrë në këtë proces. Ne në këtë proces hyjmë vetëm për normalizim të plotë të raporteve me njohje reciproke”, ka thënë ai.