Hoti ironizon me VV’në: Ne iu futëm në Qeveri, kah po shkoni me këtë qasje?

Një tjetër përplasje është dëgjuar në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe deputetit të VV-së, Arbër Rexhaj.

Rexhaj ka thënë se pika për mini-schengenin e nënshkruar me Marrëveshjen për stabilizim ekonomik në Uashington ka qenë e gabueshme.

Sipas tij, është ide dhe projekt i Serbisë për fuqizim ekonomik në rajon dhe se ajo “duhet të shihet e lidhur me projektet e Serbisë”, teksa ka treguar pse mini-schengeni nuk do duhej të nënshkruhej.

“E para, ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolla, tarifa, reciprocitet të plotë për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Nën dy, mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të lëvizjes së lirë, që ia mundëson mini-schengeni. E treta, e defaktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në marrëdhënie rajonale. Nën katër, favorizon ekonomikisht shtetet e ballkanit që kufizohen me shtetet anëtare të BE-së përmes politikave të taksave, ndërsa Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në. Nën pesë, krijon mundësi për inavzion të mallrave nga Rusia për shkak të marrëveshjes me Serbinë. Nën gjashtë, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë rajonin e Ballkanit jashtë BE-së”, tha ai.

Megjithëse Rexhaj tha se nuk ishin konstatime e mendime të tij, për këto, Hoti është përgjigjur se janë vetëm fyerje e nënçmime për të, e jo argumente.

Ai, duke iu adresuar Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se qasja e tyre e diskutimit në Kuvend nuk është argumentuese dhe se më këtë qasje nuk po mund të bëhet debat substancial.

Hoti ka kërkuar nga VV-ja që të tregojnë argumente se ku e ka dëmtuar Kosovën kjo Marrëveshje.

“Nga fjalimi i fundit nuk evidentova asnjë çështje që mund të përgjigjem. Më vjen keq për këtë lloj diskursi që po ushtroni dhe kjo është arsyeja pse jeni ku jeni. Kemi punu bashkë dy vjet në opozitë dhe patëm fillu me mendu se po afroheni. Ju futëm edhe në qeveri, ju sollëm në institucione, por me këtë qasje ku po doni me shku, kah ia keni mësy, çfarë qasje është kjo ku në secilin fjalim nuk dëgjoj argumente, por deklarata politike, fyerje e nënçmime. Nuk po mundemi me bë një debat substancial se si mund të shkojmë përpara, më jepni një argument ku e ka dëmtu sovranitetin e Kosovës kjo marrëveshje, si e kishit bë ju më mirë dhe pse ju nuk keni shku atëherë në Uashington kur iu kemi lutë të shkojmë bashkë. Po ndërtoni teori të thikave e hartave, prandaj jeni kështu”, ka thënë ai.