Hoti – Konjufcës: Posti i kryeministrit i takon partisë së parë, rregulli duhet pranuar nga të gjithë

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti u është përgjigjur deklaratave të mbrëmshme të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca se ‘formula më e mirë qeverise do të ishte: Albin Kurti kryeministër e Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit.

Hoti ka thënë se partia e tyre [LDK] sapo ka dalë nga procesi zgjedhor dhe mënyra se si do të veprohet tutje do të merret vesh në mbledhjet e ardhshme të strukturave të partisë.

“E para, ne sapo kemi dalë nga procesi zgjedhor i brendshëm, të bashkuar më shumë se asnjëherë më parë. Ne kemi strukturat tona dhe brenda tyre do të merren të gjitha vendimet meritore, vendime që janë në interesin më të mirë për shtetin e Kosovës, qytetarët dhe LDK-në”, thotë Hoti.

Ai shton se LDK-ja është partia që ka marrë më së shumti mbështetje nga qytetarët në zgjedhjet lokale të vitit 2017, duke marrë numrin më të madh të deputetëve.

“Ne jemi partia me mbështetjen më të madhe të qytetarëve nga zgjedhjet lokale 2017, me numrin më të madh të deputetëve, me numrin më të madh të komunave që qeverisim dhe me numrin më të madh të këshilltarëve komunalë. Nga atëherë, besimi i qytetarëve në LDK-në ka qenë në rritje”, thotë ai për Express, derisa përmend edhe kundërshtimet që ia bënë PAN-it sa ishin në opozitë.

“Kemi bërë një opozitë të fuqishme gjatë qeverisjes së PAN-it dhe kemi koordinuar gjithë opozitën në Kuvendin e Kosovës. Kemi arritur të ndalim procese të dëmshme për vendin, në veçanti qasjen antishtetërore të PAN-it sa i përket dialogut me Serbinë, ku ligji për dialog u shpall antikushtetues”, thotë Hoti.

Ai ka shprehur edhe një herë qëndrimin se posti i kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme do t’i takojë partisë më të madhe në vend, e ky rregull duhet, sipas tij, të pranohet nga të gjithë.

“Partisë më të madhe në vend i takon pozita e kryeministrit. Ky duhet të jetë në rregull i pranuar nga të gjithë. Partia më e madhe e ka besimin më të madh të qytetarëve dhe e ka përgjegjësinë më të madhe, prandaj edhe duhet të udhëheqë me qeverinë”, ka deklaruar Hoti.

Kjo përgjigje e Hotit vie pas ofertave të vazhdueshme për koalicion që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë LDK’së.