Hovenieri kërkon përparim të njëmendtë Kosovë-Serbi më 2024 – bisedimet të përmbyllen me njohje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në adresimin e fundvitit ka thënë se ky vit ishte plot me batica dhe zbatica.

“Përderisa po i afrohemi fundit të 2023 dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të reflektuar për vitin e kaluar Ky vit ishte plot me batica e zbatica kemi parë çaste të krizës, konfliktit dhe tragjedisë këtu në Kosovë si dhe anembanë globit duke përfshirë luftën e vazhdueshme në Ukrainë, dhe rishtazi edhe konfliktin në Izrael-Gazë”, ka thënë Hovenier.

Hovenier theksoi se së bashku me qeverinë dhe popullin e Kosovës i kanë shtyrë përpara tri qëllimet kryesore të Shteteve të bashkuara për Kosovën, njofton Klankosova.tv.

“Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim të ligjit më të mirë dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike “.

Hovenier, mes tjerash theksoi se pret nga Kosova dhe Serbia në vitin e ardhshëm që të kenë përparim të njëmendtë.

“Në shkurt dhe mars të këtij viti Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me përmbylljen e marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Edhe pse ka pasur disa pengesa ne jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e saj. Ne besojmë se populli i Kosovës do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, të zotimeve të tyre sipas kësaj marrëveshje”, ka thënë ambasadori amerikan në adresimin e tij.

“Në 2024 shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshje si dhe Kosovën, që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Diplomati amerikan tha në fund se përfundimisht, ky proces i normalizimit të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimet e tyre drejt BE-së.