Hovenieri tregon pse u përjashtua Kosova nga “Defender ’23”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka adresuar raportin mes ShBA-së dhe Kosovës në rrafshin ushtarak.

I pyetur në Rubikon të Klan Kosovës se a ka ndryshuar bashkëpunimi ushtarak midis dyja vendeve, Hovenier tha se ShBA-ja nuk do të dëshironte të ishte në këtë pikë, por kjo erdhi si rezultat i përjashtimit të FSK-së nga “Defender Europe ’23”.

“Manifestimi më i saktë se ka ndryshuar deri diku është se FSK-ja, që ka qenë partnere e mirë, papritmas u përjashtua nga ushtrimi ‘Defender Europe 23’ si rezultat i vendimit të drejtpërdrejtë të komandantit ushtarak më i lartë amerikan për tërë Evropën. Kurrë më nuk duam që ta shohim këtë gjë sërish”, tha Hovenier në Rubikon të Klan Kosovës.

“Do të dëshironim të ishim në pikë tjetër, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës, kjo qeveri e Kosovës, duhet të punojë me neve për të qenë më përgjegjëse ndaj kërkesave tona se si duam që ta zgjidhim situatën në veri”, theksoi ai.

Sipas Hovenierit, arsyeja e reagimit të fuqishëm nga autoritetet ushtarake ishte pikërisht situata në veri të Kosovës, gjë që rrit nivelin e rrezikut për ushtarët amerikanë dhe atyre të NATO-s.

“Mendoj se arsyeja përse autoritetet ushtarake reaguan aq fuqishëm dhe shprehën gjithë atë shqetësim ishte se këto zgjedhje, situata në veri momentalisht, rrit nivelin e rrezikut për ushtarët amerikanë dhe të NATO-s. Njerëzit u lënduan dhe unë e di se ata u sulmuan nga një bandë dhe e di se ajo bandë nuk ishte frymëzuar nga Qeveria e Kosovës, por ishin aty për shkak të një zgjedhjeje nga Qeveria e Kosovës që rezultoi në demonstrata. Duam që e gjithë kjo të marrë fund. Duam t’i kthehemi gjendjes së mëparshme dhe duam që të shmangim rrethanat ku ka rrezik të lartë dhe tension për ushtarët amerikanë dhe të NATO-s”, tha ambasadori amerikan në Kosovë.

Tutje, Hovenieri tha se miqtë e Kosovës ndaluan spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe askush nuk duhet ta vë në dyshim përkushtimin e tyre ndaj tyre, porse niveli aktual i rrezikut është i panevojshëm.

“Ne mendojmë se miqtë tanë, sepse jemi miq, miqtë tanë në Kosovë do të duhej ta kuptojnë këtë. Kemi marrë shumë rreziqe gjatë viteve në mbështetje të popullit të Kosovës dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Për hir të Zotit, ndaluam një fushatë brutale të spastrimit etnik kundër popullit të Kosovës dhe mendoj se askush nuk duhet të vë në dyshim përkushtimin tonë ndaj kësaj, por gjithashtu nuk duam një nivel të rrezik që e mendojmë të panevojshëm, veçanërisht kur kemi mënyrë për të ecur përpara që duam ta bëjmë bashkë”, potencoi Jeffrey Hovenier në Rubikon.