Hoxha për vizat: Brengë e Francës mbetet migrimi i qytetarëve të Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se Kosova ka mbështetje e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

Hoxha gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, shtoi se brengë e Francës mbetet migrimi ende i madh i qytetarëve të Kosovës.

Kështu u përgjigj Hoxha kur u pyet nga kryetarja e komisionit Vjosa Osmani rreth qëndrimeve për heqjen e vizave.

“Përkundër rekomandimeve pozitive jemi në pritje të vendimit nga Këshilli. Nuk ka pas iniciativa të vihet në Agjendën e Këshillit dhe të votohet”.

“Edhe pse gjatë periudhës së zgjedhjes s’ka pasur lëvizje, në vazhdimësi vendeve anëtare, u kemi shprehur pakënaqësitë e qytetarëve tonë”.

“Kemi kërkuar të procedohet më shpejtë liberalizimi i vizave. Pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë është themeluar një grup punues të cilët po diskutojmë në nivel teknik për liberalizmin”.

“Kemi pasur përkrahje nga ministri i jashtëm i Gjermanisë mirëpo nuk kemi pasur përkrahje nga ministri i brendshëm. Shtet veç e veç nga vendet hezituese që s’kanë qëndrim janë: Franca, Holanda dhe Belgjika. Brengë e Francës mbetet migrimi prej qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxha.