Hoxhaj reagon ndaj fotografisë së Vuçiqit për Kosovën

Kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj, ka reaguar pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka publikuar një hartë të Kosovës të mbuluar me flamurin serb.

Vuçiq mbi fotografinë të cilën e ka postuar në Instagram ka shkruar se “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.

Këtë ai e ndërlidh me trazirat e marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe 8 serbë derisa qindra të tjerë u lënduan.

Vuçiq, këtë e ka quajtur si masakër ndaj serbëve të Kosovës.

Hoxhaj në reagimin e tij në Twitter ka shkruar se sundimi autokratik është në një gjendje hipnoze ku propaganda dhe urrejtja nxiten kundër fqinjëve.

Ai thekson se Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran është muri i vlerave euro-atlantike.

Fotografia ka bërë që të shkaktojë zemërim në mesin e shqiptarëve, të cilët kanë filluar një fushatë për largimin e saj nga rrjeti social Instagram.

Ndërkaq qindra mijëra komente janë bërë kundër Vuçiqit, duke shkruar se “Kosova është Shqipëri”.