Qorrolli: Për të gjitha fajtore “Lista Serbe’, kjo parti të shpallet jokushtetuese

Analisti politik dhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, mendon se Prokuroria e Shtetit ka prova të mjaftueshme të iniciojë hetim penal lidhur me sigurimin joligjor të votave nga Serbia si dhe për rastin e helmimit të sotëm të ndodhur në KQZ, si dhe të kërkojë pranë gjykatës kompetente shpalljen si jokushtetuese të partisë politike “Srpska Lista”.

Qorrolli, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se “shteti i Kosovës e ka raportin zyrtar të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 6 tetorit, ku thuhet troç se serbët kosovarë janë intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar, në mënyrë që t’ia japin votën e tyre një partie të caktuar politike [Lista Srpska]. Gjithashtu, votat e serbëve kosovarë që jetojnë në Serbi, janë siguruar përmes të njëjtës metodë”.

“Prokuroria e Shtetit ka bazë të mjaftueshme juridike të inicoje hetim penal për sigurimin joligjor të këtyre votave dhe me rastin e helmimit të sotëm të ndodhur në KQZ — të kërkojë pranë gjykatës kompetente shpalljen si jokushtetuese të kësaj partie politike. Kjo për shkak se Lista përveç se nuk e pranon rendin juridik të Kosovës, e shantazhon dhe e helmon Kosovën me vrerin e Millosheviçit të viteve te 90’ta’, ka thënë Qorrolli.

Për më tepër Qorrolli thotë se “këto vota janë sjellur në Kosovë nga Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Prishtinë, krejtësisht kundërligjshëm, sepse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk e lejon votimin nëpër ambasadat ose konsullatat e Kosovës”.

“Një zyrë diplomatike e huaj, si ajo serbe në Prishtine, nuk ka tagër ligjor, të bëjë bartjen e votave në mënyrë kolektive në një juridiksion të huaj — kompetent për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Qorrolli.